Total Pageviews

Translate

Monday, June 30, 2014

“Mundo Deportivo”: Shqipëria, kombëtarja e munguar e Botërorit

“Mundo Deportivo”: Shqipëria,
kombëtarja e munguar e Botërorit
E përditshmja katalanase “El
Mundo Deportivo” e bën të
ndjeshme praninë e Shqipërisë në
Kupën e Botës, falë një shkrimi të
publikuar prej saj.
Nga Andi Deçka
30 Qershor, 2014
Shqipëria nuk është në Botëror, por
gjithsesi për të flitet dhe në Brazil
2014, pasojë e yjeve me origjinë
shqiptare që po shpërthejnë në
kompeticion më madhor të globit.
E përditshmja katalanase “El
Mundo Deportivo” e bën të
ndjeshme praninë e Shqipërisë në
Kupën e Botës, falë një shkrimi të
publikuar prej saj, ku sqaron se
disa prej talenteve të këtij turneu
janë me origjinë nga vendi i
shqiponjave, duke vëne theksin
sidomos te Xherdan Shaqiri. Sipas
gazetës sportive, nëse De Biasi do
të kishte patur në gjirin e tij,
futbollistët e përfaqësueses
zvicerane por dhe Januzajn e
Belgjikës, me shumë gjasa në 1/8
ndaj Argjentinës nuk do të ishte
Zvicra por kuqezinjtë.
“El Mundo Deportivo” shkruan se
një vend me tre million banorë, që
kurrë nuk ka marrë pjesë më parë
në një turne madhor, mund të
kishte qenë e pranishmë në
Botërorin brazilian, nëse yjet me
origjinë shqiptare do të kishin
zgjedhur të vishnin fanellën e
vendit të tyre. Gazeta spanjolle
madje thekson se Shaqiri,
aktualisht ylli i Zvicrës, në rini ka
qenë shumë i dyzuar për të luajtur
për kuqezinjtë në të kaluarën,
madje zotëron dhe dy pasaporta,
atë zvicerane dhe atë shqiptare.
I lindur në Gjilan të Kosovës, në
fund ai vendosi të vishte fanellën e
Zvicrës, vendit ku u formua si
futbollist. Emri i dytë që mund t’i
bënte punë De Biasit, sipas të
përditshmes katalanase është
Januzaj I Belgjikës, të cilin e
etiketojnë si talenti i madh. Për
këtë të fundit, “El Mundo
Deportivo” shkruan se ka lindur në
Bruksel por vendos theksin te
origjina e të atit, që është një
shqiptar nga Kosova. Sipas “El
Mundo Deportivos”, ai do të jetë
një prej elementëve të rinj, që Van
Gaal mund t’i besojë më shumë në
momentin kur të marrë drejtimin e
United.
Gjithashtu në shkrim përmenden
dhe dy vëllezërit Xhaka, ku i pari
luan për Zvicrën dhe i dyti për
Shqipërinë, dhe sipas El Mundos,
dhe mesfushori i Gladbachut mund
të kishte qenë pjesë e Shqipërisë
në eliminatore. Ndërsa me
futbollistë të tjerë si Dzemaili,
Mehmedi që i përkasin shqiptarëve
të Maqedonisë dhe Valon
Behramin, sipas “El Mundo
Deportivos” vështirë se në Europë
do të kishte skuadër më të
talentuar se ajo shqiptare.

Sunday, June 29, 2014

Kolumbia i falet talentit të Rodriguez

Kolumbia i falet talentit të
Rodriguez
29/06/2014
Një dygolësh sublim i James
Rodriguez ndihmuan Kolumbinë të
hyjë në histori, teksa arrijnë në
çerekfinalet e një Botërori për herë
të parë, duke mposhtur 2-0
Uruguajin në Rio de Janeiro.
22-vjeçari ishte “magjistari” i sfidës
së dytë tërësisht amerikano-latine të
ditës së shtunë. Ai shënoi 2 gola në
“Estadio do Maracana”, duke marrë
momentalisht edhe kryesimin e
golashënuesve të këtij Botërori me 5
gola në 4 ndeshje, si dhe i jep
shpresa kombëtares së tij për një
përballje edhe më të vështirë të
premten e ardhshme, ndaj
organizatorëve të Brazilit, ku do të
fokusohet e gjithë vëmendja e
kontinentit latin, por edhe më tej.
Kolumbia dominoi që në fillim
ndeshjen, pavarësisht ndërhyrjeve të
ashpra, ndërsa ekipi i drejtuar nga
Oscar Tabarez vuajti ndaj një rivali
që në fazën e grupeve kishte
siguruar pikët e plota, e për më
tepër me një Luis Suarez më pak,
për shkak të pezullimit të tij.
Vetëm në minutën e 28 vjen
mrekullia për Kolumbinë, kur talenti
kolumbian Rodriguez, i cili luan
qoftë si anësor sulmues, por edhe si
sulmues i mirëfilltë, zotëroi në
mënyrë perfekte një top me gjoks
dhe, ende pa rënë topi në tokë, e
goditi me të majtën në kthesë e
sipër, duke detyruar Muslera-n ta
prekte vetëm pak me gishta, por jo
mjaftueshëm për ta nxjerrë sipër
traut të portës së tij. Ndoshta goli
më i bukur deri më tani në këtë
Botëror.
Edhe pse Uruguaji u mundua të mos
dorëzohej lehtë, siç edhe u tregua
me kualifikimin e siguruar për në
raundin e 16-sheve, nuk e pati
fuqinë e nevojshme për të mposhtur
mbrojtjen kolumbiane e veçanërisht
portierin e saj, teksa vlen të
theksohet një devijim i Edinson
Cavani-t prej Cristian Zapata-s.
5 minuta nga nisja e pjesës së dytë
ishte sërish Rodriguez, ai që la
shenjën e tij të dytë në këtë takim.
Nëse goli i parë ishte tërësisht një
shkëlqim i tij individual, i dyti ishte
një lojë perfekte e kolektivit, pasi
ishte krosimi i Armero-s nga e majta,
që u ndal nga Cuadrado në zonën e
rreptësisë, për t’i ofruar mundësinë
Rodriguez-it ta çonte atë drejt
portës kundërshtare.
Cavani reagoi sërish me një gjuajtje
ultazi të rrezikshme, që tërhoqi
vëmendjen e mbrojtësve të
papërgatitur, por porta nuk mundi
të thyhej për ekipin e drejtuar nga
Jose Pekerman.
Tashmë kolumbianëve u mbetet të
përgatiten për sfidën më të madhe
të këtij Botërori: të përpiqen të
mposhtin organizatorët në Fortaleza.

Statusi kandidat, Basha: Falenderojmë Berishën. Ish-kryeministri:

Statusi kandidat, Basha:
Falenderojmë Berishën.
Ish-kryeministri:
Festojmë me qytetarët
Posted by LajmiFundit.al on Sunday,
June 29, 2014 · Leave a Comment
Partia Demokratike, sikurse ishte
lehtësisht e parashikuar, i është
bashkuar festës së Bashkisë së
Tiranës për marrjen e statusit
kandidat. I gjithë grupi parlamentar
i PD-së ishte pasditen e së shtunës
në Amfiteatrin e Liqenit.
Nuk kishte si të mungunte në këtë
festë as Sali Berisha, edhe pse ishte
i ftuar si ish-kryeministër në
ceremoninë e organizuar në Pallatin
e Brigadave. “Zgjodha të festoj me
qytetarët”, ka thënë Berisha duke iu
përgjigjur shkurt pyetjes së Top
Channel.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së
Tiranës, njëherazi dhe kryetar i PD-
së, Lulzim Basha ka dekalaruar se ky
është një moment për të nderuar të
gjithë ata që luftuan për marrjen e
statusit, duke veçuar ish-
kryeministrin Berisha.
“Është një rast shumë i mirë për të
kujtuar e nderuar ata që dhanë
kontribut të çmuar për ardhjen deri
këtu. Kemi njerëz që meritojnë
falenderime të veçanta dhe që kanë
një domethënie të pakthyeshme për
shoqërinë, siç është ish-kryeministri
Sali Berisha. I shpreh mirënjohjen
edhe BE-së dhe vendeve anëtare dhe
shoh në këtë vendim vulosjen e
përpjekjeve tona që lamë pas për të
përmbushur këto kritere”, ka thënë
Basha.
Nën tingujt e kompozitorëve më të
njohur europianë, Bashkia e Tiranës
dhe Partia Demokratike kanë
vendosur ta festojnë në këtë mënyrë
marrjen e statusit të vendit kandidat
për në Bashkimin Europian, duke
rikujtuar ndasitë mes forcave politike
dhe në ngjarje kaq të mëdha. tch

Friday, June 27, 2014

Lajmet e mira të javës

Lajmet e mira të javës
27/06/2014
Edi Gogu, Marsela Lika, Altin Rodi
mund të jenë një model shumë i
mirë se si të organizoni ditën e
fëmijëve kur ata e kanë mbaruar
shkollën.
Pushimet e verës të cilat i shkëpusin
fëmijët nga shkolla janë koha e
duhur që këta prind të vendosin në
praktikë idetë e tyre për të edukuar
dhe argëtuar fëmijët njëkohësisht.
Lojëra, përralla, vizita në institucione
që fëmijët të rriten të informuar.
Vihet në praktikë projekti që u
prezantua në “Pasdite në Top
Channel” për rojet e plazhit. Për
herë të parë në Shqipëri, mes grupit
të Baywatch janë edhe tre vajza.
Vajzat rojtare në plazhin e Golemit
kanë vetëm një javë që kanë filluar
punën ku tregojnë se ka patur edhe
raste që është nevojitur ndërhyrja e
tyre.
“Jam duke shkuar për t’i bërë një
dush luanit, pasi ai ka shumë vapë”.
Kjo frazë tingëllon shumë e
çuditshme, por jo edhe aq për
banorët e Jemenit për të cilët nuk
është aspak e pazakontë. Banorët
lokalë shpesh mbajnë kafshë të egra
në shtëpi duke i mësuar me praninë
e njeriut.
Ajo ia del të realizojë ëndrrën e saj:
të diplomohet. Një grua e cila kishte
rritur tre fëmijë nuk kishte mundur
të mbaronte kurrë Universitetin. Më
në fund, Marine Corporal ia doli.
Surpriza e diplomimit ishte prania e
djalit të saj, i cili prej 5 muajsh
shërbente në ushtri. Ai ishte fshehur
pas perdes dhe kishte menduar mirë
për të surprizuar mamanë.

Shqiptaret si friksohen krizes


27/06/2014
Që pas vitit 2008, kriza ka
përkeqësuar thuajse të gjithë
treguesit e ekonomisë shqiptare.
Rritja ekonomike ka rënë me disa
herë, borxhi publik është zgjeruar
me ritme të shpejta, ndërsa
bilancet e biznesit dhe familjarëve
janë tronditur.
Sërish, me gjithë pasiguritë e larta
dhe ndrydhjen e besimit të
privatëve, të dhënat dëshmojnë se ka
një tregues, i cili jo vetëm që i ka
rezistuar viteve të vështira të krizës,
por ka patur një ecuri rekord. Kjo
është iniciativa e shqiptarëve për
biznes.
Sipas Instat, në fund të vitit të
kaluar Shqipëria numëronte mbi 111
mijë biznese aktive në total. Të
dhënat tregojnë se më shumë se
gjysma e tyre, ose mbi 56 mijë janë
krijuar pas vitit 2008.
Sipas Instat, pothuajse gjatë gjithë
viteve të krizës, norma e lindjes së
bizneseve të reja, ka qenë në nivelet
më të larta historike. Madje
dukshëm më të larta edhe se sa ato
të para vitit 2008, kur ekonomia
ishte në gjendje shumë më të mirë.
Një rezultat në dukje suprizë pas të
cilit mund të ketë një sërë shkaqesh.
Por mbi të gjitha nevoja. Pas vitit
2008, burimet kryesore të të
ardhurave për një pjesë të madhe të
familjeve janë goditur.
Dërgesat nga jashtë kanë rënë me
ritme të shpejta, ndërsa të ardhurat
nga punësimi thuajse kanë ngrirë
për shkak të rënies së pagave, por
edhe rritjes së papunësisë.
Në këto kushte, për shumë familje,
hapja e një biznesi të vogël mund të
jetë shndërruar në mundësinë e
vetme për të patur një burim të
ardhurash.

Fondet e BE-së për Shqipërinë

Fondet e BE-së për Shqipërinë

27/06/2014
Një pjesë e mirë e fondeve të BE-
së, të parashikuara për Shqipërinë
gjatë 2014-s, do t’i përkushtohen
inovacionit dhe modernizimit të
shërbimit publik, siç tregoi
ministrja Milena Harito pas takimit
me drejtorin për Ballkanin, në
Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit
Europian, Jean Eric Paquet.
“Pikërisht në rastin konkret kishte të
bënte me një projekt të reformës
mbi Administratën, parë ky jo
thjesht në kuadër të ligjit të
Nëpunësi Civil, apo gjërat e
diskutuara gjatë gjithë kësaj
periudhe, por në kuptimin se si
mund ta bëjmë këtë administratë
performuese, dhe kjo ka të bëjë me
shërbimet që ofron, të cilat duhet të
jenë të dixhitalizuara dhe të
orientuara drejt qytetarit, e jo zyrës
që ofron shërbimin. Dhe kjo reformë
është ajo, që do të mbështetet nga
Komisioni Europian”, tha Milena
Harito, ministre Shteti për
Inovacionin dhe Administratën.
Ministrja Harito mori pjesë dhe në
tryezën e organizuar nga Komiteti i
Rajoneve mbi strategjinë adriatiko-
joniane, të sapomiratuar nga Këshilli
i BE-së, ku Shqipëria koordinohet me
Kroacinë për zhvillimin e
qëndrueshëm të turizmit.
Praktikat e reja doganore
Drejtorët e Përgjithshëm të
Doganave diskutojnë moton e re të
OBT
Drejtorët e Përgjithshëm të
Doganave u mblodhën në
Organizatën Botërore të Tregtisë, për
të diskutuar mbi praktikat më të
mira dhe shkëmbimin e
informacioneve mes tyre, por dhe
mbi moton e re të OBT-së, që
fokusohet në lehtësimin e tregtisë,
sigurinë e qytetarëve dhe standardet
më të mira, koncepte këto të
përfshira në draftin për kodin e ri
doganor, siç tregoi pas mbledhjes
përfaqësuesja e Shqipërisë në këtë
takim, Elisa Spiropali.
“Projekt-kodi i ri doganor, që ne
kemi prezantuar në Kuvendin e
Shqipërisë, dhe që aktualisht është
duke u diskutuar, i adreson këto
koncepte dhe e ndryshon rrënjësisht
mënyrën se si dogana aplikon
praktikat e veta doganore. U
diskutua këtu dhe për operatorët
ekonomik të autorizuar dhe
procedurat e thjeshtuara, që janë
pjesë e kodit të ri doganor, dhe u
prit shumë mirë nga kolegët, sepse
janë fjala e fundit. U diskutua
gjithashtu për standardet që duhen
zbatuar në të ardhmen, kryesisht
modernizimi dhe informatizimi i
mëtejshëm, që janë dhe dy prioritete
të Doganës Shqiptare, sepse sjellin
luftë më të mirë ndaj korrupsionit
dhe evazionit, më shumë
transparencë dhe një marrëdhënie
më të drejtë mes biznesit dhe
administratës doganore”, tha Elisa
Spiropali, Drejtore e Përgjithshme e
Doganave.
Në treyzën e Drejtorëve të
Përgjithshëm të Doganave u bisedua
dhe mbi praktikën e “sportelit të
vetëm doganor”, që thjeshton
procedurat për tregtarët, i cili është
përfshirë në projekt-kodin e ri
doganor, sipas Spiropalit.
Përgatiti: Arta TOZAJ

Kryeministrat miratojnë statusin

Kryeministrat miratojnë statusin
27/06/2014
Nga sot, Shqipëria është zyrtarisht
vend kandidat për në BE. Sipas
traktateve të BE-së është Këshilli
Europian, në nivelin e krerëve të 28
shteteve anëtare, që vendos për
politikën e zgjerimit.
Ky samit europian, i fundit nën
drejtimin e Presidencës greke,
përmbushi formalitetin duke
miratuar konkluzionet e Këshillit për
çështjet e Përgjithshme.
Të martën, ministrat europianë
renditën edhe kushtet, që duhet të
përmbushë Tirana zyrtare, në mënyrë
që të nisë procesin real të
anëtarësimit, nisjen e negociatave
me BE.
Përveç 5 prioriteteve kyçe, që kanë të
bëjnë me Administratën Publike,
gjyqësorin, luftën kundër krimit të
organizuar dhe korrupsionit,
mbrojtjen e të drejtave të njeriut
dhe minoriteteve, si dhe zbatimin e
të drejtës së autorit, Këshilli i
përgjithshëm kërkoi dhe garantimin
e sigurisë juridike për operatorët
ekonomikë, si dhe respektimin e
marrëveshjes për liberalizimin e
vizave.
Megjithëse në konferencën e fundit
për shtyp të Presidencës,
kryeministri Samaras foli për “shtytje
të re për zgjerimin”, kjo politikë e
BE-së nuk u përfshi ndër prioritetet
e përcaktuara për 5 vitet e
ardhshme nga kjo tryezë e krerëve të
shteteve dhe qeverive europiane.
Nga 1 Korriku, Presidenca e BE-së i
kalon Italisë, një ndër vendet
kryesore mbështetëse të integrimit
europian për vendet e Ballkanit, por
gjatë drejtimit të saj 6-mujor nuk
priten hapa të mëtejshëm në lidhje
me zgjerimin e BE-së.
Përgatiti: Arta TOZAJ

Publiku nuk ka besim te gjyqësori”

“Publiku nuk ka besim te gjyqësori” 27/06/2014 Shqipëria duhet të rrisë parandalimin e korrupsionit, përsa i përket anëtarëve të Parlamentit, gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas raportit të fundit mbi S