Total Pageviews

Translate

Monday, February 17, 2014

Kosova ftesë zyrtare Januzajt: Eja luaj vetëm 10 minuta në miqësore

Kosova ftesë zyrtare Januzajt: Eja luaj vetëm 10 minuta në miqësore Federata e Futbollit të Kosovës i ka bërë ftesë zyrtare Adnan Januzajt të luajë në ndeshjen miqësore që do të zhvillojë më datë 5 Mars përballë ekipit të Haitit në Mitrovicë. “Ftesa për Januzajn është simbolike, por ne besojmë se ai e ka obligim t’i tregoj popullit të vet se do të jetë atje kur është e nevojshme në një moment historik. Presim një përgjigje deri në fund të kësaj jave dhe paraqitja e Januzajt, thjeshtë, do të tregoj se ai nuk e ka harruar popullin e vet, ai mund të luajë vetëm 10 ose 15 minuta” tha sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Në vazhdim të intervistës, Salihu ka rrëfyer bisedën me babanë e Adnanit, duke i sqaruar se 19 vjeçari nga Istogu është i lirë të zgjedhë se për cilën kombëtare do të luaj në të ardhmen. “Kjo është ndeshje miqësore, kështu që nuk do të paraqesë asnjë pengesë dhe ai do të jetë në gjendje të luaj për këdo që e zgjedhë”, tha Salihu. d.b/ shqiptarja.com

Protesta në Mal të Zi u organizua në Facebook, të arrestuar edhe gazetarë

Protesta në Mal të Zi u organizua në Facebook, të arrestuar edhe gazetarë Mal i Zi -Në protestat e së shtunës(15.02.2014) në Podgoricë mbetën të plagosur 9 policë nga përleshjet me 300 protestues. Qytetarët marshuan në selinë qeveritare duke kërkuar dorëheqjen e administratës për shkak të papunësisë, korrupsionit dhe kushteve të vështira ekonomike. Protestuesit qëlluan me gurë duke plagosur disa policë. Nga ana tjetër, edhe forcat e policisë u kundërpërgjigjën me gaz lotësjellës për të ndaluar protestuesit. Protesta u organizua në Facebook me titull 'Revolucioni në Mal të Zi, çdo njeri të dalë në rrugë'. Organizatori i protestës Ljubo Varagic i bëri thirrje malazezëve të solidarizohen me protestën antiqeveritare në vendin fqinj, Bosnje . "Ne nuk mund të paguajmë 500 euro faturat tona të energjisë elektrike me pagë mujore 100 euro", tha organizatori i protestës. Nga ana e saj, policia ka akuzuar protestuesit si përgjegjës për dhunën. "Ata sillen në mënyrë agresive, sulmuan policisë, qëlluan me gurë ndaj tyre, prishën rendin publik", thuhej në deklaratën e policisë. Janë arrestuar 20 prej protestuesve, mes të cilëve ishin edhe 2 gazetarë malazezë. Kryetari i Komunës Podgoricë, Miomir Mugosha njoftoi se do të ngrejë akuza penale kundër njerëzve që shkaktuan dëme në ndërtesat publike, kurse Prokurori urdhëroi 48 orë paraburgim për protestuesit që u arrestuan mëngjesin e së dielës. (v.gj/ shqiptarja.com

Dubai, milionerët s'paguajnë për mirëmbajtjen, ju bllokohet ashensori

Dubai, milionerët s'paguajnë për mirëmbajtjen, ju bllokohet ashensori FOTO DUBAI-Nuk ndodh vetëm në Shqipëri që banorët e pallatit të mos paguajnë faturat për mirëmbajtjen e ndërtesës. Ndodh edhe me milionerë në Dubai të Arabisë Saudite, të cilët do u duhet të bëjnë në këmbë 108 kate të gradaçelës më të madhe nëse nuk do të paguajnë detyrimet. Në Burj Khalifa, gradaçela më e lartë në botë 828 metra e lartë, me 163 kate dhe që numëron 900 apartamente private, shumë luksoze jetojnë disa nga milionerët më të pasur në botë. Pronari i saj kërcënon se do t’i mbyllë ashensorin nëse milionerët nuk do të pguajnë faturat. Dhe pyetja që shtrohet është: Mos milionerët do u duhet të ngjisin në këmbë 108 kate? Ndërkohë banorëve u janë bllokuar kartat që lejojnë hyrjen e tyre në apartament. Qiraja vjetore për një nga apartamentet më të vegjël në këtë gradaçelë arrin në 55.000 dollarë dhe shumica e qiramarësve janë sipërmarës milionerë, yje të pasur të botës së shoëbiznesit dhe manjatë të naftës. Shuma që nuk është paguar është 25.000 dollarë në vit, e cila mesa duket refuzohet të paguhet nga banorët milionerë. Disa javë më parë, Emaar, kompania e cila ndërtoi dhe zotëron këtë ndërtësë, i ka dërguar një letër qiramarrësve dhe pronarëve të banesës, se në qoftëse nuk shlyejnë detyrimet, do të jenë të detyruar të eliminohen nga këto shërbime. Me fjalë më të thjeshta, milionerët do të jenë të detyruar të ngjisin në këmbë 108 kate. Tani për tani, qirramarësve dhe pronarëve tashmë e kanë të caktivizuar kartën për të hyrë në apartamente, për të përdorur palestrën, pishinën e shërbime të tjera që ofrohen. Redaksia online (ms/sg/ shqiptarja.com)

Kosova 6 vjet shtet, Jahjaga:U mbyll hasmëria, tani integrim

Kosova 6 vjet shtet, Jahjaga:U mbyll hasmëria, tani integrim PRISHTINE-Kosova shënon sot 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Shteti më i ri evropian feston 6 vjetorin me 106 njohje, dhe tashmë është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se pavarësia e Kosovës është e paprekshme dhe periudha e hasmërisë ka përfunduar dhe tani Kosova është e hapur për mundësinë e integrimit. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e mbajtur në seancën solemne në Kuvend deklaroi se në këto 6 vite u bënë shumë duke themeluar nga zero çdo institucion dhe duke zhbërë strukturat paralele në veri të Kosovës por shtoi se sfida më të mëdha presin: "Përmirësimi i imazhit është vendimtar për të futur Kosovën në NATO e BE" JAHJAGA: KEMI QENE NE ANEN E DREJTE TE HISTORISE Duke i shprehur mirënjohjen SHBA-së dhe BE-së presidentja Jahjaga tha: "17 shkurti shënon histori të pakthyeshme, një realitet që ruan pacënueshmërinë e tij. Kemi qënë në anën e drejtë të historisë. Periudha e konflikteve dhe hasmërive në Ballkan ka përfunduar dhe tani Kosova është e hapur për mundësinë e integrimit. Pavarësia e Kosovës që mban vulën tuaj, ka hapur shtegun e mirëkuptimit dhe marrëveshjes. Kemi ende punë për të bërë. Në duart tona, qëndron fuqia për ta bërë një shembull të demokracisë së zhvilluar, ku gjithëpërfshirja nënkupton obligim dhe mirëkuptim. Duhet të dëshmojmë për të mundur dukuri negative në shoqëri”. THAÇI: BEME SHUME POR KEMI SFIDA TE MEDHA Kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e mbajtur në seancën solemne në Kuvend deklaroi se në këto 6 vite u bënë shumë duke themeluar nga zero çdo institucion dhe duke zhbërë strukturat paralele në veri të Kosovës por shtoi se sfida më të mëdha presin. “Themeluan nga zero çdo institucion dhe në 6 vjet bëmë shumë. Por shumë sfida të mëdha ende ngelen para nesh dhe duhet të jemi të përgatitur për të bërë përpjekjet dhe sakrificat për t’i kaluar ato. Ne duhet të ndihemi krenar, sepse sfidat kanë qënë të jashtëzakondshme dhe të pakrahasueshme. Vizioni i Kosovës së pavarur është ai i një shteti demokratik dhe të zhvilluar, bindjeve apo përkatësisë etinike apo fetare. Ne duhet të ndihemi krenar, sepse Kosova jeton me paqe me të gjithë fqinjët e saj. Ne duhet të punojmë për të ndërtuar një Kosovë ku këmbëngulja e mbi gjithçka e çdo iniciative respektohet, mbrohet prona private dhe garantohet konkurenca e lirë. Çdo qytetar mund të jetoj me dinjitet, shpresë dhe mirëqënie. Po luftojmë për garantimin e të Drejtave të Njeriut dhe të drejtave të pakicave. Përmirësimi i imazhit është vendimtar për të futur Kosovën në NATO e BE. T’i tregojmë botës se në Kosovë është garantuar stabiliteti i brendshëm i vendit. Pas zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar, se demokracia funksionoi në mënyrë normale, shumë sfida ndodhen para nesh dhe duhen sakrifica për ti kapërcyer. Kemi kapërcyer dhe sfida më të vështira. Gëzuar ditën e pavarësisë dhe Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj", tha Thaçi. PARAKALIMI I FSK-se Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë Forcat e Sigurisë së Kosovës parakaluan. Na ndan një kohë e shkurtë, javë apo muaj nga themelimi i Forcës së Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë të gatshme të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. HOMAZHE NE VARREZAT E FAMILJES JASHARI Paraditen e sotme Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi bënë homazhe të përbashkëta në varrezat e familjes Jashari në Prekaz. JAHJAGA: PAVARESIA E PAPREKSHME ”Pavarësia e Kosovës është e paprekshme dhe e pakthyeshme” tha mbrëmë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një FESTIMET SOT - Në orën 9:00, bëhen homazhe para varrit të presidentit Rugova - Në orën 10:00, bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz - Në orën 12:45, në organizim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet pritje solemne në Hotelin Grand - Në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert për fëmijë - Në orën 20:00 Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohe - Në orën 12:45, në organizim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet pritje solemne në Hotelin Grand - Në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert për fëmijë - Në orën 20:00 Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert me këngëtarët më eminentë të vendit - Në orën 22:30, pas përfundimit të koncertit bëhet ndezja e fishekzjarrëve Redaksia online (sg/ shqiptarja.com)

Stop gjuetisë, National Geographic: Shpëtojnë miliona zogj që migrojnë

Stop gjuetisë, National Geographic: Shpëtojnë miliona zogj që migrojnë TIRANE -Në korrikun e vitit të shkuar, National Geographic Italia kishte publikuar një reportazh dramatik të Jonathan Franzen, shkrimtar dhe i apasionuar ndaj shpendëve, në lidhje me zhdukjen në masë të shpendëve dhe zogjve migratorë në shumë zona të Mesdheut. Franzen denonconte në mënyrë të veçantë situatën në territorin shqiptar, që ndodhet në një prej zonave të para për zogjtë migratorë. Për shkak të gjuetisë së pakontrolluar, ku merrnin pjesë edhe shumë gjuetarë italianë, qiejt e Shqipërisë ishin duke u boshatisur. Sot ama, falë edhe një artikulli të Franzen, qeveria e Tiranës ka vendosur që të ndalojë gjuetinë për dy vite. “Është me të vërtetë një lajm i bukur”, ka komentuar shkrimtari. “Shqipëria ishte vendi Europian që kishte më shumë nevojë për ndalimin e gjuetisë me ligj”, shton ai. Përse Shqipëria është kaq e rëndësishme për zogjtë që migrojnë nga Afrika në Europë? Për të migruar drejt Europës, zogjtë përdorin tre rrugë kryesore, mes të cilave njëra prej më të rëndësishmëve është ajo në Adriatik. Përgjatë gjithë bregdetit të Ballkanit, ndodhen male dhe disa laguna, mes tyre edhe në Shqipëri, ku mendoj se ndodhen zonat më të mira në Europë. Është një zonë tërheqëse për zogjtë që kanë kaluar Mesdheun, përpara se ndërmarrin fluturimin për të kaluar malet dhe për të shkuar në Europën Qëndrore. Gjithmonë ndalojnë këtu për të pushuar dhe për të marrë fuqi, në udhëtimin e fundit të tyre drejt zonave të riprodhimit. Kush janë efektet e gjuetisë në këto migrime të zogjve? Çdo vit, në pranverë dhe në dimër, miliona zogj kalojnë nëpër Shqipëri, por ama pak dalin të gjallë nga aty. Aty shkojnë tufa zogjshme deri në 50 mijë specie që i ikin dimrave të ashpër, por ata vriten një e nga një. Shikohet se zogjtë tentojnë që të ulen në tokë, por ama rikthehen sërish në det të hapur për shkak të gjyetarëve që janë të vendosur në zonat lagunore dhe në plazhe që i marrin në shënjestër. Ka njerëz që edhe duke udhëtuar ndalojnë makinën në anë të rrugës, zbresin dhe nxjerrin armët dhe qëllojnë zogjtë që janë duke pushuar në ndonjë degë peme. Gjuetia në këto nivele është e papranueshme. Nuk ishin vetëmë shqiptarët që gjuanin ... ? Shqipëria ishte bërë si një parajsë për gjuetarët italianë pasi Bashkimi Europian, të paktën në letër, ka kufizime në lidhje me gjuetinë e zogjve. Unë isha atje në mars. Ishin disa laguna të mrekullueshme, që duhej të ishin të populluara nga qindra e mijëra zogj, por ishte diçka e ndaluar për shpendët, pasi ishin këta grupe gjuetarësh që natë e ditë lundronin me varkë dhe qëllonin ngado. A mendoni se qeveria do të jetë në gjendje që të mbajë moratoriumin? Është shumë e lehtë: nëse dëgjon një krismë armë, dihet që është duke u thyer ligji. Për një vend relativisht të varfër, që ka një nivel të ulët për respektimin e ligjit e vetmja zgjidhje është një moratorium total. Disa vite më parë për të luftuar kontrabandën, Shqipëria vendosi të bllokojë varkat e vogla që të largoheshin nga bregu, sepse zgjidhej problemi se kush dilte në det e kush jo. Mendoj që ndalimi i gjuetisë do të ketë një impakt pozitiv. Pas një viti, lagunat shqiptare duhet të jenë plot ose të paktën përgjysëm të mbushura me zogj. Në Shqipëri habitatet që janë në gjendje kritike janë të mbrojtura. Autoritetet e ministrisë shqiptare të Ambientit janë treguar të zgjuara. Kanë thënë: “Edhe nëse nuk kemi njerëz mjaftueshëm që të sigurojmë respektimin e ligjit, ne do të fillojmë që ti rikonstruktojmë këto rezervate të paktën në letër, kështu që kur gjërat të përmirësohen do të kemi bërë një pjesë të punës”. Aktualisht habitatet që janë të mbrojtura mund t’iu sigurojnë vend të sigurtë miliona zogjve migratorë. Sa kohë mendoni se do të duhet që të kemi një rekuperim të plotë të popullisë? Unë nuk jam një shkencëtar, e kështu që nuk mund të bëj një parashikim. Por ama di që zogjtë migratorë kanë një kapacitet të madh rigjenerimi. Nëse një rosë do të mund të pushojë, të ushqehet dhe të rikuperojë forcat për disa ditë në Shqipëri përpara se të se të nisë rrugën e saj, kur të mbërrijë në vendin e saj do të mund ti japë jetë më shumë se 5 zogjve, gjysma prej të cilëve zakonisht mbijetojnë deri në udhëtimin e pranverës. Në cilin vend tjetër duhet që të vendoset një moratorium gjuetie? Nëse e shikojmë nga numri i zogjve të vrarë, Egjipti është sigurisht vendi i Mesdheut me situatën më të keqe. Por duke parë parë situatën politike është e vështirë që të marrin masa serioze për këtë situatë. Vetëm mund të shpresojmë që disa mjete teknologjike që shërbejnë që të thërrasin zogjtë apo rrjeta të padukshme të shpallen të paligjshme në mënyrë që të shpëtohet jeta e mijëra shpendëve. *Marrë nga National Geographic Italia Redaksia online (ac/ shqiptarja.com)

Çanta me presh pranë Ambasadës SHBA, alarmon policinë e Tiranës

Çanta me presh pranë Ambasadës SHBA, alarmon policinë e Tiranës TIRANË- Çanta me kavanozë reçeli presh e byrek, e harruar nga një student, në krah të ambasadës së SHBA-së alarmoi për gati 30 minuta Policinë e Tiranës. Telefonata e mbërritur në polici ngriti në këmbë gjithë strukturat, të cilat brenda pak minutash ishin vendosur përballë Liceut Artistik, në rrugën "Jani Kukuzeli", në krah të Ambasadës Amerikane. Alarmi u dha rreth orës 11:40 dhe në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie. Një pjesë e zonës u rrethua me shiritin e sigurisë dhe për disa minuta u bllokua lëvizja. Ndërsa forca të shumta të policisë kryenin kontrollin, të pyetur brenda Ambasadës Amerikane, shërbimi i ruajtjes deklaroi se, alarmi nuk ishte në territorin e tyre. Më pas, në 12:02 u bë verifikimi me qentë antieksplozivë, që zbuloi se në çantë nuk kishin ndonjë lëndë eksplozive, por gjithsesi kontrolli vazhdoi. Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, që drejtonte operacionin. Po kështu pjesëtarë të forcës së sigurisë së Ambasadës së SHBA-së ishin aty për të dhënë ndihmën e tyre. Foto të tjera TELEFONATA NE POLICI Një telefonatë në sallën operative të Policisë së Tiranës, njoftoi për çantën e dyshimtë përballë Liceut Artistik, pikërisht në trotuarin ngjitur me murin rrethues të rezidencës së ambasadës së SHBA-së. Redaksia online (ac/ shqiptarja.com)

Agjencia europiane e Mjedisit Shqipëria është ngjitur 13 vende

Agjencia europiane e Mjedisit Shqipëria është ngjitur 13 vende TIRANE- Në raportin e Agjencisë Europiane të Mjedisit (European Environmental Agency) të publikuar në Janar 2014, Shqipëria ngjitet me 13 vende. Vitet e fundit vendi ynë gjithmonë është rankuar i fundit në raportimet e bëra nga Agjencia. Duke iu referuar këtij raporti, Ministri Mjedisit Lefter Koka u shpreh “ky vlerësim i bërë nga një agjenci europiane e mjedisit si EEA, tregon se Ministria e Mjedisit po bën progres të dukshëm. Kjo ndikon padyshim edhe në hapat e mëtejshme që po ndërmerr vendi drejt integrimit në Bashkimin Europian” Redaksia online (ac/ shqiptarja.com)

Pogradec, fshati me 1 mijë banorë prej vitesh pa ujë

Pogradec, fshati me 1 mijë banorë prej vitesh pa ujë POGRADEC- Rreth 840 banorë të fshatit Vërdovë në qytetin e Pogradecit prej vitesh jetojnë pa ujë të pijshëm. Çdo ditë banorët përshkruajnë kilometra rrugë për të mbushur ujë të pijshëm në fshatrat përreth. Banorët ankohen se janë lënë në harresë, pasi sipas tyre premtimet për ndërtimin e kanalizimeve kanë mbetur vetëm fjalë boshe. Jashtë kamerës, nga ana e komunës Buçimas pohohet se ekziston një projekt për kanalizimin e ujit të pijshëm në këtë fshat, por nuk bëhet me dije se kur do të vihet në zbatim. Redaksia Online (b.g/ shqiptarja.com)

Vdes në Itali pas operacionit në gojë një 2-vjeçare shqiptare

Vdes në Itali pas operacionit në gojë një 2-vjeçare shqiptare FOTO ITALI- Përveç dy rasteve të ditëve të fundit ku dy pacientë të spitalit “Hygeia” humbën jetën, një fat të ngjashëm ka pasur edhe një bashkëadhetare shqiptare në Itali, vetëm 2 vjeç e gjysmë. Vogëlushja ka ndërruar jetë rreth orës 8 të mëngjesit të së shtunës(15.02.2014), 2 orë pasi ishte operuar në gojë. Prindërit e vogëlushes, 34-vjeçari Endrit Prendi dhe nëna 24 vjeçe Elvira, bënë një kallëzim penal për mjekët që e kishin operuar. Ngjarja ka ndodhur në zonën Pordenone më Itali, ku vogëlushja iu nënshtrua operacionit në spitalin “Santa Maria degli Angeli”. Aty mjekët kishin planifikuar ndërhyrjen kirurgjikale, për heqjen e një problemi në gojë, i cili e pengonte vajzën për ushqimin. Pas kallëzimit, drejtori i spitalit, Giuseppe Sclippa, shprehu tronditjen, duke deklaruar se arsyet e vdekjes së vogëlushes mbeten mister. Ndërkohë, organet e prokurorisë po hetojnë dosjen mjekësore të 2-vjeçares shqiptare. (Në foto: Prindërit e vajzës së vogël që ndërroi jetë të shtunë (15.02.2014) në një spital në Itali) Redaksia Online (e.s/ shqiptarja.com)

Greqi, në kërkim 38-vjeçari shqiptar vodhi me armë zyrat shtetërore

Greqi, në kërkim 38-vjeçari shqiptar vodhi me armë zyrat shtetërore GREQI-Një 38-vjeçar shqiptar është autori i grabitjes së armatosur që ka ndodhur në mesditën e 5 shkurtit, në disa degë të PPC (energjisë elektrike) dhe OTE (telekomunikacionit) në Lutraki të Korinthit, në Greqi. Në ngarkim të 38-vjeçarit shqiptar dhe të një bashkëpunëtori tjetër, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, rëndojnë akuzat për vjedhje dhe posedim të paligjshëm të armëve, si dhe ishte lëshuar një urdhër-arresti nga gjykata në Korinth. Në kuadër të hetimeve të departamentit të policisë në Lutraki u konfirmua se 38-vjeçari, së bashku me një person tjetër, fillimisht hyri në një degë të PPC dhe nën kërcënimin e armëve, u mori paratë. Më pas shkoi në një degë të OTE, ku me të njëjtën metodë, morën paratë e sende të tjera. Redaksia Online (e.s/ shqiptarja.com)

Berisha: Me furgonat po përsëritet skenari i lojërave të fatit

Berisha: Me furgonat po përsëritet skenari i lojërave të fatit TIRANË-Ish kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministri Edi Rama se po bllokon furgonët 8 plus për një për interesat e tij. Sipas Berishës, “Po përsëritet skenari i lojërave të fatit”. “Furgonat u bllokuan me urdhër të Ramës, për interesa të Ramëes. Afera e furgonave është kopje e aferës së lojërave të fatit”, është shprehur sot Berisha. Redaksia Online (b.g/ shqiptarja.com)

Babai i dehur lejon djalin 8 vjeç t'i japë makinës, bën aksident

Babai i dehur lejon djalin 8 vjeç t'i japë makinës, bën aksident FOTO POLONI -Një burrë mund të dënohet me 5 vjet burg pasi i tha djalit të tij 8-vjeçar të drejtonte makinën sepse ishte i dehur. Por, si shkak i kësaj, djali 8-vjeçar shkaktoi një aksident në të cilën u përfshinë 3 makina. Mikolaj Tomaszewksi kishte pirë me shokët e tij dhe kur do të shkonte në shtëpi kuptoi që ishte shumë i dehur për të drejtuar makinën. Por, në vend që të thirriste një taksi, ai telefonoi djalin e tij që të shkonte në lokalin ku ndodhej i ati që ta merrte. Pastaj e lejoi 8-vjeçarin që t'i jepte makinës për në shtëpi. Por, mosha e vogël e djalit për të drejtuar një makinë dha efektet e saj. Ai u përlas me një tjetër automjet që vinte përballë. Kjo bëri që edhe një makinë e tretë të përfshihej në aksident. I ati dhe djali i tij pësuan disa dëmtime të lehta, por asgjë serioze. Tomaszwski u arrestua për rrezikim të jetës së të miturit dhe që shkaktoi aksident. (v.gj/ shqiptarja.com)