Përgatitet riformatimi i KQZ-së
21/05/2014
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të kthehet sërish shumë shpejt në një çështje shumë të nxehtë mes qeverisë dhe opozitës.
Që prej largimit të 3 përfaqësuesve të zgjedhur nga Parta Socilaiste dhe LSI-ja, KQZ-ja ka mbetur me 4 anëtarë dhe pothuajse një vit larg zgjedhjeve të ardhshme lokale, ky insitucion është në pamundesi për të marrë vendime të rëndësishme.
Këtë gjë e pohoi para komisionit të ligjeve kryetarja Lefterije Lleshi. “Ne, që të rishikojmë aktet nënligjore na nevojitet kuorumi. Nuk mund të proçedojmë pasi shumica e akteve normative kërkojnë votat”, deklaroi Lleshi.
Kryetarja e KQZ-së ishte tek komisioni i igjeve për një raport vjetor rutinë, por relatori i Partisë Socialiste, Blendi Klosi dha si zgjidhje për ngërçin riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Por që tani është e qartë se opozita është kundër çdo ndryshimi të njëanshëm të formulës konsensuale.
“Nuk mendoj se kolegët e PD që propozuan anëtarët e KQZ-së të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme pa një riformatim të këtij institucioni”, deklaroi Klosi.
“Çdo aludim për reformatim, ndërkohë që ka një ligj konsensual, që nuk mund të ndryshohet vetëm sepse ka një shumicë votash, do të ishte kthim në vitet 2000-2001 dhe si i tillë i papranueshëm”, replikoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Prej më shumë se 10 vjetësh çdo ndryshim në Kodin Elektoral dhe që prek Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është bërë me konsnesusin e dy partive të mëdha në vend. Por që kjo të faktohet sërish do të duhet edhe pak kohë, ose të paktën do të duhet një qëndrim zyrtar nga Partia Socialiste.
Changing news agenda. ONE NEWS is informative website 24 hours a day / 7 days a week, that provides constant coverage of the powerful news and access information in every kind of country, region and world.
Thursday, May 22, 2014
Baloo, Sher Khan dhe Leo, tre miqtë e pazakontë
Baloo, Sher Khan dhe Leo, tre miqtë e pazakontë
21/05/2014
Në habitatin natyror ndoshta nuk do t’i shihnim kurrë bashkë, ose do t’i shihnim vetëm në beteja për mbijetesë apo sigurim ushqimi.
Por në kopështin zoologjik “Arka e Noes” në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara, një tigër, një luaneshë dhe një ari janë ‘miq për kokë’. Tre kafshët janë rritur së bashku, kanë ‘ngrënë nga i njëjti tas’, kanë luajtur bashkërisht dhe vazhdojnë t’i bëjnë të gjitha këto sërish të pandarë, pavarësisht natyrës së tyre, (përjashto luaneshën, dy kafshët e tjera janë heremite).
Kujdestarët e kopështit zoologjik i ngritur nga një organizatë jofitimprurëse i kanë pagëzuar me emra përkatës, Baloo është ariu, Sher Khan është tigri dhe Leo është emri i luaneshës.
Historia e tre kafshëve është e dhimbshme. Kur ishin vetëm disa-mujorshme ato u gjetën që të treja në kamionin e një trafikanti të keqtrajtuara dhe kequshqyera. Aty kopështit zoologjik i lindi ideja që t’i vendoste në të njëjtin ambient, por duke i vëzhguar 24 orë në 24 për të mos i lënë që të përfshihen në ndonjë incident.
Fatmirësisht deri më tani, Baloo Sher Khan dhe Leo përvec përkëdhelive, ndoshta ndonjëherë të tepruara, asnjëherë nuk janë përleshur bashkë.
Shqipëria, mes 39 dhe 47 bashkive
Shqipëria, mes 39 dhe 47 bashkive
23/05/2014
Varianti përfundimtar i Reformës Territoriale do të zgjidhet mes dy hartave, asaj që parashikon ndarjen e vendit në 39 bashki dhe asaj që e ndan vendin në 47 të tilla.
Në një mbledhje të gjatë me dyer të mbyllura, Komisioni i Reformës Territoriale dhe ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, në prani të kryeministrit Edi Rama, kanë informuar deputetët e Grupit parlamentar socialist dhe atij të LSI, mbi 5 variantet e propozuara.
Pas prezantimit, diskutimet kanë ndalur në dy variantet e konsideruara të qendrës, variantit 2 dhe 3 të hartës territoriale.
Burime nga mbledhja bënë me dije për Top Channel, se deputetët socialistë Pandeli Majko dhe Blendi Klosi propozuan që varianti final i hartës, që do të miratohet në komision, të ketë për bazë ndarjen me 39 bashki, por të huazojë elemente nga varianti i tretë me 47 bashki.
Kjo do të thotë që, për njësi të mëdha si Tirana, Vlora, Elbasani apo Korça, të ruhet ndarja që parashikon varianti i tretë; pra respektivisht Kamza bashki më vete, Himara gjithashtu, si dhe Cerriku e Maliqi.
Rrjedhimisht pritet që varianti përfundimtar të ketë një numër bashkish nga 39 në 47, që varësisht nga elementët që do të merren nga harta tre, mund të parashikojë një ndarje të vendit në rreth 44-45 bashki.
Gjithësesi, vendimi për variantin përfundimtar të ndarjes së territorit të vendit do të merret të premten nga Komisioni i Reformës Territoriale, i cili do të konsultohet më tej edhe me qytetarët.
INSTAT: Shqipëria e pabarabartë
INSTAT: Shqipëria e pabarabartë
23/05/2014
Të dhënat e detajuara nga censusi i vitit 2011 nxjerrin në pah se lëvizjet demografike në dhjetë vitet e fundit kanë krijuar një realitet të polarizuar ekonomik duke lënë zona të tëra territoriale të pazhvilluara.
Kryeministri Edi Rama tha se ky fenomen çon në tensione sociale dhe pabarazi mundësish ndaj kërkon ndërhyrje urgjente.
“Kryefjala e kësaj përgjigjeje është reforma territoriale-administrative me një reduktim dramatik të numrit të njësive vendore që disponojnë kompetenca të plota dhe me rritje dramatike të të ardhurave për njësitë që do të dalin nga ky reduktim për të drejtuar tërësisht ndryshe qoftë zhvillimin njerëzor, qoftë zhvillimin natyror dhe ekonomik”, deklaroi Rama.
Por përveç rritjes së pabarazisë, në konferencën e INSTAT, kreu i këtij institucioni publikoi dhe një tjetër të dhënë shqetësuese, që shtron nevojë për një tjetër reformë delikate.
“Bazuar në projeksionet e reja të popullsisë, në vitin 2027, pra vetëm 13 vjet nga tani, rritja natyrore mund të bëhet negative, pra numri i vdekjeve do të tejkalojë numrin e lindjeve”, deklaroi kreu i INSTAT, Gjergji Filipi.
“Kjo është një arsye më shumë që reforma e pensioneve që ne tanimë e kemi të formësuar të kryhet një orë e më parë, kaq shumë të shtyer vit pas viti për arsye politikës së ditës dhe për arsye të dritëshkurtësisë së qeverisjes deri më sot”, shtoi Kryeministri Rama.
Vitin e kaluar sistemi i pensioneve mori rreth 500 milione dollarë nga paratë e taksapaguesve, ndërkohë që sipas INSTAT papunësia te të rinjtë u rrit nga 35 për qind në 2001 në 52 për qind në 2011. Paralelisht përgjatë kësaj dekade Shqipëria është përballur me një valë të dytë emigrimi, ku sipas INSTAT mbi 480 mijë vetë janë larguar në emigrim.
Ekipi shqiptar në Bosnjë
Ekipi shqiptar në Bosnjë
23/05/2014
Apokalipsi duket se ka ndodhur. Fshatrat e qytetzës Orashje në Bosnje çdo ditë e më shumë humbin në thellësinë e ujërave të lumenjve. Aty, grupi më i madh i skuadrave të shpëtimit përbëhet nga shqiptarët.
Ata bëhen gati që në mëngjes dhe kalojnë pjesët e përmbytura. Deri diku me kamion dhe më pas vazhdojnë me varka. Ata thonë se janë pritur mirë nga banorët dhe se për Shqipërinë kjo është e rëndësishme në një mission ndërkombëtar.
“Në përgjithësi jemi mirëpritur nga banorët. Ne po punojmë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, thotë Lulëzim Beqiri, nënkomisar i FNSH-së së Shkodrës.
“Ne jemi mobilizuar për të dhënë ndihmën tonë këtu, bashkë me njësitë vendase”, shprehet nga ana tjetër Nebi Muçaj, drejtor i Qendrës Vullnetare për Emergjencat Civile.
Në këto fshatra uji është duke u rritur, pavarësisht se reshje nuk ka më. Në ndihmë u ka dalë edhe një shqiptar, bukëpjekës nga Kosova, i cili shpërndan çdo ditë bukë pa pagesë për banorët.
“Kam qenë i kënaqur kur dëgjova se kanë ardhur ekipe shqiptare për t’i ndihmuar. Kështu që edhe unë vendosa t’i ndihmoj”, thotë Gani Uroshi.
“Jam shumë i kënaqur dhe e falenderoj Shqipërinë për ndihmën që na ka dhënë, që të na i zbusë pasojat e kësaj katastrofe sado pak”, shprehet Damir Shoshiç, banor i fshatit Vidovicë.
Subscribe to:
Posts (Atom)