Total Pageviews

Translate

Saturday, January 11, 2014

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive 11/01/2014 Ora 11 e së shtunës shënoi kohën kur autobusi me të cilin udhëtoi qeveria e Shqipërisë nga Tirana ndaloi në qytetin e Prizrenit për t’u takuar me qeverinë e Kosovës në mbledhjen e shumë pritur të përbashkët. Ishte kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ai i cili iu kthye historisë së dhimbshme të kombit shqiptar, duke filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, kur përfundimisht kufiri i Kosovës me Shqipërinë u thye dhe shqiptarët sot janë të lirë. “Kjo mbledhje e dy qeverive tona është një dëshmi dhe respekt ndaj heronjve tanë të periudhave të ndryshme, se mundi, djersa dhe gjaku i dëshmorëve po respektohet. Por, ne nuk jemi këtu sot për të evokuar të kalurën, por për të punuar për të ardhmen. Duhet të përpiqemi të kemi rritje ekonomike më të lartë, investime të huaja, punësim më të madh, pensione më dinjitoze, sistem shëndetësor dhe arsimor të standardeve europiane, si dhe një përkujdesje sociale dinjitoze për qytetarët. Duhet t'i kapitalizojmë mundësitë e jashtëzakonshme që na ofrohen nga përmirësimi i infastrukturës fizike ndërmjet dy vendeve. Konkretisht, Rruga e Kombit duhet të rezultojë me një qarkullim më masiv të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve ndërmjet vendeve tona. Po ashtu, ndërtimi i linjës së interkonjeksionit duhet të përkthehet në një integrim të dy sistemeve energjitike të Kosovës dhe Shqipërisë. Ka vullnet të bollshëm politik, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, që marrëdhëniet mes nesh të jenë shembull për rajonin dhe më gjerë, ndaj nevojiten veprimtari të tilla si kjo e sotmja”, deklaroi Thaçi. Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo çfarë i bashkoi dy qeveritë është kontributi i tyre për integrimin rajonal në Europën e bashkuar. Por Rama u ndal edhe te kritikët e këtij bashkëpunimi. Ai tha se mbledhja e përbashkët nuk ka përse të trembë askënd, pasi shqiptarët do ta mbajnë besën e dhënë, siç tha ai, për SHBA-të dhe Bashkimin Europian që kufijtë të mos ndryshojnë. “Nëse mbledhja e përbashkët të dy qeverive të një kombi të shtrirë në dy shtete bëhet arsye trembjeje apo inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, duhet ta them që në fillim, fort dhe qartë se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike, që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t'i qëndruar besës së dhënë, atyre pa të cilët Kosova e lirë dhe e pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimin Europian”, theksoi Rama. Në mbledhjen, e cila vazhdoi punimet me dyer të mbyllura, qeveritë kishin para vetes një rend dite prej 13 pikash. Marrëveshja për lehtësime tregtare dhe ajo për bashkëpunim në fushën e transportit dhe infrastrkutrës morën firmat e ministrave përkatës. Disa propozime dhe ide janë diskutuar në këtë mbledhje dhe njëra ndër to ka të bëjë me bashkëfinancimin e festivalit të filmit dokumentar Doku Fest. Qeveria e Kosovës ndërkaq propozoi idenë për themelimin e fondit zhvillimor për Luginën e Preshevës. Dokumenti më i rëndësishëm i takimit, Deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës u nënshkrua nga kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Në këtë deklaratë kryeministrat konfirmojnë angazhimin për çështje që kanë të bëjnë me politikat e jashtme dhe të sigurisë. Qeveria e Shqipërisë ofroi mbështetje për avancimin e dialogut të nisur mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut i drejtëpërdrejtë dhe kryesor në dobi të qytetarëve, për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon e më gjërë. Drejtësia, ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit janë fusha në të cilat është shprehur vullneti për të bashkëpunuar. Sipas kësaj deklarate, mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive do të mbahen çdo vit në bazë të një kalendari të rregullt dhe mbi parimin e rotacionit. Komisione përkatese do të ngrihen për zbatimin e gjithë asaj që arrihet. Qeveritë kanë vendosur që mbledhja e radhës të mbahet në maj apo qershor në qytetin e Vlorës. Thaçi e Rama firmosin në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit Në oborrin e ndërtesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u bë nënshkrimi zyrtar i dokumentit për bashkëpunim strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë, nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim në Transport dhe Infrastrukturë dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit europian. Dy kryeministrat, Rama dhe Thaçi, dolen më pas në një konference te perbashket per mediat. Kryeministri Thaçi e konsideroi takimin e parë mes dy qeverive si të suksesshëm, ndërsa e cilësoi angazhimin e Ramës për iniciativë si mjaft efikase

No comments: