Platini: Topi i Artë do të dominohet nga Messi e Ronaldo
Temat më aktuale të botës së futbollit, por edhe parashikime për të ardhmen. Presidenti i UEFA-s, Michel Platini rrëfehet për të gjitha në një intervistë dhe e nis me eventin e rëndësishëm që do të presë vendi i tij pas dy vjetësh, me Euro 2016.
“Janë bërë rikonstruksione të rëndësishme si në Marseille dhe Saint Etienne. Nuk e di nëse rezultati do të jetë si në vitin 1998, por është momenti për të ëndërruar.
Jam i bindur se niveli i këtij kompeticioni nuk do të bjerë nga fakti që numri i skuadrave pjesëmarrëse është rritur në 24 nga 16 që ishte më parë”.
Platini foli edhe për dominimin bavarez në Europë dhe mundësitë e Paris Saint Germain për të triumfuar në Champions.
“Me Bayernin po ndodh e njëjta gjë si me Barcelonën, por asnjë ekip nuk ka mundur ta fitojë Championsin dy herë radhazi. Sot me këtë Bayern dhe Barcelonë kemi arritur teknikisht futbollin total dhe të globalizuar.
Gjermanët drejtohen nga një spanjoll, ndërsa Chelsea dhe Arsenali i janë larguar stilit anglez. Në lidhje me parizienët të gjithë thonë se mund ta fitojnë Championsin.
Nëse unë them të kundërtën, do të më vrasin, por mund të them me bindje se do të dominojnë në kampionatin francez për 10 vjet dhe Monaco do të jetë pas tyre”.
Për Topin e Artë 2013, Platini u shpreh se votoi për Ribery, sepse ai kishte fituar gjithçka me klubin e tij, por nëse kriteret në votim do të mbeten të pandryshuara, atëherë do të jenë vetëm Messi dhe Ronaldo që do të triumfojnë në vitet në vazhdim. Nuk kishte si të mungonte një parashikim edhe për Botërorin 2014.
“Do të jetë e vështirë të kalohen amerikano-jugorët, pra Brazili, Argjentina, Uruguaji dhe Kili. Vlerat tona të sigurta janë Spanja dhe Italia, dy gjenerata të rritura, ndërsa Gjermania nuk ësht pjekur ende.
No comments:
Post a Comment